Publiku përfshihet në formësimin e së ardhmes së ujërave të pellgut të Vardarit

Filluan konsultimet publike për përgatitjen e Planit të parë për menaxhimin e pellgut të lumit Vardar. Në dy javët e kaluara u mbajtën takime konsultative në Shkup, Tetovë, Shtip dhe Manastir, ku morën pjesë përfaqësues të komunave, ndërmarrjeve publike, organizatave civile dhe kompanive private. Qëllimi i këtij procesi, të cilin e udhëheq Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, është që të gjithë palët e interesuar të përfshihen në krijimin e politikave për menaxhim dhe përdorim të burimit më të rëndësishëm ujor në shtet.

“Qëllimi ynë i përbashkët është që ky Plan për menaxhim me pellgun e lumit Vardar t’i pasqyrojë nevojat reale të të gjithë palëve të interesuar, por njëkohësisht të sigurojë mbrojtje të qëndrueshme dhe efikase të burimeve ujore në shtet. Prandaj, procesi i përgjithshëm përfshin një proces shkencor përkatësisht monitorim të cilësisë dhe sasisë së ujërave të cilin e kryen DPHM-ja, por edhe një proces konsultativ përmes të cilit do të dëgjohet zëri i opinionit shkencor, ekologëve, bujqve, biznesmenëve, komuniteteve lokale” , thonë nga Sektori për ujëra në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, prej ku e udhëheqin këtë proces.

“Plani për menaxhim me pellgun e Vardarit duhet të miratohet sa më shpejt dhe t’u nënshtrohet konsultimeve me të gjithë palët e interesuar në përputhje me procedurat e përcaktuara ligjore. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme të formohet Këshilli për menaxhim me rajonin e pellgut lumor të Vardarit si trup ndërinstitucional i cili do ta monitorojë realizimin e Planit. Ky Plan është baza për parandalimin e ndotjes dhe degradimit të mëtejmë të lumit Vardar për të cilin nevojitet mbrojtja jo vetëm si një burim ujor, por edhe si një ekosistem” , thotë Marko Guçeski nga organizata civile “Eko-Vetëdija”, që mori pjesë në takimin konsultativ në Shkup.

Procesi zhvillohet me mbështetje të Programit Zviceran për Menaxhim, Përdorim dhe Mbrojtje të Ujërave, i cili mundësoi edhe hartimin e Raportit të përkohshëm për çështje të rëndësishme lidhur me menaxhimin e ujërave të pellgut të Vardarit. Ky dokument i identifikon faktorët kryesorë që ndikojnë në cilësinë dhe sasinë e ujërave në pellgun e Vardarit, por përmban edhe masa për përmirësimin e gjendjeve.

“Ky Plan për menaxhim me ujërat është jashtëzakonisht i rëndësishëm, duke pasur parasysh se pellgu i Vardarit përfshin mbi 80% të të gjitha trupave ujorë në shtet. Programi i ujërave i mbështet institucionet nacionale për ta zbatuar procesin në përputhje me Direktivën Kornizë të Ujërave të Bashkimit Evropian dhe të hartohet një dokument gjithëpërfshirës i cili do të mundësojë përdorim racional, të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore” , thotë Nikolla Zdravevski nga Programi për menaxhim, përdorim dhe mbrojtje të ujërave.

Procesi i konsultimeve publike do të zgjasë në gjashtë e muajt e ardhshëm, dhe në të do të mund të përfshihen të gjithë qytetarët përmes plotësimit të pyetësorit online për rreziqet dhe rekomandimet kryesore për tejkalimin e tyre. Pastaj do të nisë përgatitja e Planit të parë për menaxhim të pellgut të Vardarit, i cili duhet të miratohet deri në fund të vitit 2027.

Сподели го овој пост