Hapja e ekspozitës “Kambanat ekologjike” – alarm për mbrojtjen e ujërave dhe mjedisit jetësor

Në Tetovë u hap ekspozita “Kambanat ekologjike”, e cila përmes një instalacioni unik përcjell një mesazh të fuqishëm për mbrojtjen e ujërave, menaxhimin e përgjegjshëm të mbeturinave dhe kujdesin për mjedisin jetësor. Autorë të veprave të ekspozuara janë artistët Nehat Beqiri dhe Behar Ferati nga Maqedonia dhe artistja Sharllot Kin nga Zvicra. Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur në galerinë e artit Hamami i Vjetër Turk në Tetovë deri më 17 nëntor, zhvillohet në kuadër të evenimentit “Ditët e Vardarit” që organizohet nga Programi Zviceran për Menaxhimin, Shfrytëzimin dhe Mbrojtjen e Ujërave.

Instalacioni i Feratit dhe Beqirit përbëhet nga rreth 800 shishe plastike të vendosura mbi një basen me ujë, të cilat simbolizojnë kambana si një lloj alarmi për zgjimin e vetëdijes për një kujdes më të madh dhe më të përkushtuar ndaj burimeve natyrore, veçanërisht ujërave. Ata krijuan një vepër arti prej shisheve të ricikluara të plastikës, material që më së shpeshti konsiderohet si mbeturinë.

“Kambanat në këtë instalacion nuk janë vetëm objekte artistike, por simbole që na ftojnë të mendojmë për përgjegjësinë tonë ndaj mjedisit natyror. Instalacioni është konceptuar si një qiell i veçantë që pluskon mbi vizitorët, duke përcjellë idenë se ajo që lëmë sot nën këmbët tona, një ditë mund të na gjendet mbi koka”, thotë Ferati, i cili është edhe kurator i ekspozitës.

Koncepti dhe ideja për instalacionin janë të Beqirit, por në realizimin e veprës si vullnetarë u përfshinë nxënës nga shkollat e mesme, si dhe një pjesë e studentëve dhe punonjësve të Universitetit të Evropës Juglindore.

“Kjo vepër tregon se arti mund t’u japë jetë të re dhe kuptim të ri materialeve të cilat shoqëria shpesh i konsideron të pavlefshme. Përmes këtij instalacioni duam të nxisim mendimin dhe vetëdijen kolektive për reduktimin e mbeturinave plastike, mbrojtjen e burimeve ujore dhe ruajtjen e natyrës për brezat e ardhshëm”, shpjegon Ferati.

Ekspozita përfshin edhe një vepër arti të një pëlhure disa metra të gjatë, të krijuar në mars të këtij viti në Shkup nga artistja dhe aktivistja ekologjike e njohur botërisht, Sharllot Kin, e cila jeton dhe punon në Gjenevë. Në ekspozitë shfaqet edhe një video e performancës së saj skenike-muzikore, përmes së cilës ajo përcolli mesazhin se uji nuk është thjesht një burim, por vlerë, lëvizje dhe jetë.

“Vepra ime i kushtohet lumit Vardar, i cili mbart pjesën më të madhe të ujërave në vend, nga malet pranë Vrutokut deri në Detin Egje. Megjithëse është arteria kryesore ujore, si shumë lumenj të tjerë, shpesh kalojmë pranë tij pa e vërejtur vërtet. Me këtë performancë desha t’i mundësoj publikut ta ndiejë Vardarin në një mënyrë tjetër, përmes lëvizjes, ritmit dhe jetës së tij. Duke bashkuar artin me teknologjinë moderne digjitale, të rrëfej një tregim për lumin jo vetëm përmes të dhënave, por edhe përmes shqisave dhe emocioneve”, thotë Kin.

Programin për menaxhim, shfrytëzim dhe mbrojtje të ujërave e mbështet Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në përgatitjen e Planit të parë për menaxhimin e pellgut të lumit Vardar, i cili përfshin pothuajse 80% të trupave ujorë në vend.

“Me mbështetjen e kësaj ekspozite duam t’u dërgojmë një mesazh qytetarëve, jo vetëm që t’i mbrojnë dhe t’i përdorin me përgjegjësi ujërat, por edhe të përfshihen në përgatitjen e këtij plani, sepse prej tij varet në masë të madhe çfarë uji të pijshëm do të kemi dhe çfarë uji do të kemi për ujitje, por edhe çfarë do t’u lëmë brezave të ardhshëm”, tha Jan Kviatkovski, lider i ekipit të Programit për ujërat.

Gjatë muajve të kaluar u mbajtën konsultime publike në lidhje me Raportin e përkohshëm për çështje të rëndësishme lidhur me menaxhimin e ujërave të pellgut të Vardarit, por qytetarët ende mund të kontribuojnë në këtë proces përmes plotësimit të pyetësorit online për rreziqet dhe rekomandimet kryesore për tejkalimin e tyre.

Programi për menaxhim, përdorim dhe mbrojtje të ujërave është i Qeverisë së Zvicrës, nën patronazhin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, dhe zbatohet nga konsorciumi Skat Consulting Ltd. dhe PointPro Consulting.

Сподели го овој пост