U publikua raporti SWMI – baza për konsultimet publike për Planin e menaxhimit të pellgut të Vardarit

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e publikoi Raportin e përkohshëm për çështje të rëndësishme lidhur me menaxhimin e ujërave të pellgut të lumit Vardar (SWMI). Bëhet fjalë për një dokument i cili do të shfrytëzohet si bazë në procesin e ardhshëm të konsultimeve publike për përgatitjen e Planit të parë të menaxhimit të pellgut të lumit Vardar. Qëllimi është që në procesin, i cili do të zgjasë gjashtë muaj, të përfshihen sa më shumë palë të interesuara, para së gjithash institucionet, komunat, ndërmarrjet komunale publike, sektori privat, organizatat civile, bujqit, publiku shkencor.

Raporti i përkohshëm i identifikon çështjet dhe sfidat më të rëndësishme për menaxhimin e pellgut të lumit Vardar, i cili është burimi më i rëndësishëm ujor në shtet dhe përfshin afro 80% të të gjitha trupave ujore në Maqedoninë e Veriut. Një pjesë e temave të përfshira në raportin janë:

  • presionet dhe ndikimet kryesore që duhet të përfshihen në Planin e menaxhimit të pellgut
  • pasqyra e ndryshimeve të mundshme të rajonit të pellgut lumor të dedikuara për arritjen e qëllimeve për mjedisin jetësor në Ligjin për Ujërat
  • sektorët ekonomikë që mund të preken, si peshkataria, turizmi, energjetika, bujqësia
  • indikacioni i përgjithshëm dhe skenarët e mundshme për arritjen e ndryshimeve me argumente për dhe kundër këtyre skenarëve

SI TË PËRFSHIHENI NË KONSULTIMET PUBLIKE

Gjatë konsultimeve gjashtëmujore, të gjitha palët e interesuara do të mund të paraqesin vërejtje, komente dhe mendime mbi çështjet e identifikuara në Raportin e përkohshëm, si dhe të propozojnë tema shtesë dhe të shprehin pikëpamje mbi masat e mundshme. Përfshirja e publikut do të kontribuojë që procesi i përgatitjes së Planit të menaxhimit të pellgut të lumit Vardar të jetë plotësisht gjithëpërfshirës dhe transparent dhe të formësohet përdorim efikas dhe i qëndrueshëm i burimeve të ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore në vend.

Të gjitha palët e interesuara mund të përfshihen në këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm në disa mënyra:

  • përmes plotësimit të Pyetësorit për çështje të rëndësishme lidhur me menaxhimin e ujërave në pellgun e Vardarit në gjuhën maqedonase ose shqipe
  • pjesëmarrje e drejtpërdrejtë në mbledhjet konsultative që do të organizohen nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor
  • komunikim zyrtar me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në adresën elektronike në vijim: infoeko@moepp.gov.mk

Raporti i përkohshëm për çështje të rëndësishme lidhur me menaxhimin e ujërave të pellgut të lumit Vardar është i disponueshëm në këtë link.

Procesi i konsultimeve publike dhe i përgatitjes së Planit të menaxhimit të pellgut të lumit Vardar mbështetet nga “Programi zviceran për menaxhim, shfrytëzim dhe mbrojtje të ujërave”, i cili zbatohet në partneritet me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

Сподели го овој пост