Me shënimin e Ditës Botërore të Ujërave në Shkup, zyrtarisht filloi procesi i konsultimeve publike, përmes të cilit do të përcaktohen hapat e ardhshëm për menaxhimin dhe mbrojtjen e ujërave të pellgut të lumit Vardar. Konsultimet për burimin më të rëndësishëm ujor në vend do të zgjasin gjashtë muaj, do të mbulojnë disa rajone dhe do të përfshijnë qytetarë nga të gjitha kategoritë. Në evenimentin e sotëm, u prezantua Raporti i përkohshëm për çështjet e rëndësishme që lidhen me menaxhimin e ujërave të pellgut të lumit Vardar, i cili do të jetë baza e procesit të konsultimit publik.
“Procesi është i hapur për të gjitha palët e interesuara sepse zgjidhjet më të mira lindin nga një dialog i përbashkët. Ajo që fillojmë sot është një mesazh se menaxhimi i ujërave në vendin tonë ndërtohet me transparencë, inkluzion dhe përgjegjësi sepse zgjidhjet e qëndrueshme krijohen me pjesëmarrjen e atyre që varen më shumë prej tyre” , deklaroi Muhamet Hoxha, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Raporti i përkohshëm i analizon shkaqet që ndikojnë në cilësinë dhe sasinë e ujërave, por gjithashtu i përcakton qëllimet dhe masat kryesore për menaxhim më të mirë të ujërave. Ky raport dhe konkluzionet nga konsultimet do të përdoren për të zhvilluar Planin e parë gjashtëvjeçar për menaxhim të pellgut të lumit Vardar.
“Për herë të parë, institucionet përfshihen në një dialog të strukturuar nacional mbi sfidat lidhur me ujin. Kjo paraqet një hap të fortë demokratik. Duke ftuar qytetarët, institucionet dhe palët e interesuara të përfshihen, vendi vendos themelet për përgatitjen e Planit të parë për menaxhimin e pellgjeve lumore në përputhje me standardet e BE-së dhe për zbatimin e Direktivës Kornizë të Ujërave” , tha Kristof Zomer, ambasador i Zvicrës.

Evenimenti për shënimin e Ditës Botërore të Ujërave në Shkup u mbajt në kuadër të Programit për menaxhim, përdorim dhe mbrojtje të ujërave. Vizitorët përjetuan një përvojë unike përmes një performance nga Sharllot Kin, një artiste dhe aktiviste me famë botërore që jeton dhe punon në Gjenevë.
“Uji nuk është vetëm një burim, por edhe një vlerë. Uji është kujtesë, lëvizje dhe jetë. Megjithatë, sot ne shpesh e neglizhojmë atë në politikat, tregjet dhe teknologjitë tona. Le të mos harrojmë t’i respektojmë dhe t’i kultivojmë elementet e tilla thelbësore dhe kryesore si uji” , theksoi Kin.

U mbajt edhe një panel diskutim për ndikimin e disponueshmërisë dhe menaxhimit të ujërave mbi barazinë gjinore, gjë që është gjithashtu një temë globale e Ditës Botërore të Ujërave të këtij viti. Konkluzioni nga debati është se gratë janë më të rrezikuara në kushtet e furnizimit të parregullt me ujë dhe se është e nevojshme që ato të përfshihen në mënyrë të barabartë në vendimmarrje për menaxhimin e burimeve ujore dhe mbrojtjen nga përmbytjet.

Programi për ujërat fokusohet në tre qëllime kryesore – forcimi i kapaciteteve të institucioneve kompetente për menaxhimin e integruar dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore, zhvillimi i një kornize të përshtatshme ligjore dhe rregullatore për ujërat dhe planifikimi dhe menaxhimi më i mirë i pellgut të lumit Vardar. Ky program është i Zvicrës dhe zbatohet në partneritet me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.


