10 korrik 2025
Dhjetë të punësuar në Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike dhe Institutin e Shëndetit Publik kaluan përmes një trajnimi pesëditor për marrje të mostrave për analizë të ujit, që u organizua në kuadër të Programit për menaxhim, shfrytëzim dhe mbrojtje të ujërave. Ky trajnim do t’u ndihmojë profesionistëve të cilët janë të përfshirë drejtpërdrejtë në monitorimin e cilësisë së ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore në vend, në përpjekjet e tyre të përditshme për menaxhim dhe mbrojtje të duhur të burimeve ujore në Maqedoninë e Veriut.

Teknikat dhe metodat e prezantuara për marrje të mostrave të ujit janë në përputhje me standardet ndërkombëtare ISO, ndërsa trajnimin e realizoi ekipi nga kompania Farmahem, e cila është e certifikuar dhe e akredituar për këto procedura.
“Një prej qëllimeve kryesore të programit tonë është t’i avancojmë njohuritë dhe shkathtësitë e profesionistëve nga institucionet publike që punojnë në mbrojtjen dhe menaxhimin në kohë, efikas dhe të qëndrueshëm me ujërat në vend. Janë paraparë më shumë trajnime të cilat do t’i mbajnë ekipet nga ekspertë dhe profesorë eminentë dhe do t’u mundësojnë institucioneve kompetente të punojnë në hap me standardet ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për menaxhim me ujërat nëntolësore dhe sipërfaqësore”, thotë Jan Kviatkovski, lider i ekipit të Programit për menaxhim, shfrytëzim dhe mbrojtje të ujërave.

Tre ditët e para të trajnimit iu përkushtuan pjesës teorike me fokus në testimin laboratorik, teknikat dhe procedurat për marrje të mostrave të ujërave, mbrojtjen dhe menaxhimin me mostrat, si dhe udhëzimet për marrje të mostrave nga liqenet, lumenjtë, përrenjve dhe nga ujërat nëntokësore. Në ditën e katërt dhe të pestë, trajnimi u zhvillua në terren, përkatësisht u morën mostra të ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore nga Liqeni i Ohrit dhe nga lumi i Treskës.
Ky aktivitet është pjesë e programit më të gjerë për monitorim i cili do të ndihmojë të hartohet Plan për menaxhim me pellgun e lumit Vardar.

Implementimi i Programit për menaxhim, shfrytëzim dhe mbrojtje të ujërave mbështetet nga Qeveria e Zvicrës, ndërsa bashkëfinancohet nga partnerë nacionalë – Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.


